Ndërtim pa leje te “Tropikal”, inxhinieri i pandehur, Ardian Takaj ‘person në dijeni’

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 29.08.2025, 13:50

Një brigadier punëtorësh ka përfunduar në pranga, ndërsa pronari i resortit luksoz “Tropikal” duket se ka kaluar pa problem përmes syve të policisë. Nuk po flasim për Policinë para së cilës jemi të gjithë të barabartë, flasim për policinë alla shqiptare që bie në grep me një “kafe”.

Inxhinieri 49-vjeçar S.D., drejtues i një brigade punëtorësh, u arrestua pak ditë më parë nga Policia e Durrësit, pasi është konstatuar duke kryer punime pa leje për llogari të kompleksit “Tropikal”, një resort turistik në pronësi të biznesmenit Ardian Takaj. Pas mbi 48 orësh paraburgim, gjykata e Durrësit caktoi ndaj tij masën e “detyrimit për paraqitje” në 16 Gusht 2025.

Ndërkohë, Ardian Takaj dhe djali i tij Gerhard, drejtues i shoqërisë “FT Management & Events” sh.p.k, që menaxhon pronat e kompleksit, u morën në pyetje vetëm si “persona në dijeni”. Për të dy, deri më tani, nuk ka nisur asnjë procedim penal.

Ngjarja ndodhi mesditën e 14 gushtit, forcat e Komisariatit të Policisë së Durrësit kontrolluan kompleksin në sektorin “Iliria”. Gjatë verifikimit u konstatuan punime për ndërtimin e një godine 2-katëshe, me sipërfaqe rreth 240 metra katrorë, të rrethuar me skela metalike. Brenda objektit kishte konstruksione metalike, kolona betoni dhe kati i dytë ishte mbuluar me panele sanduiç.

Punonjësit e policisë pyetën S.D., i cili sqaroi se kishte marrë përsipër punime rifiniture, rikonstruksioni dhe termoizolimi të godinave ekzistuese, mbi bazën e një njoftimi punimesh nga Njësia Administrative nr. 5, Bashkia Durrës. Ai tha se punimet nuk kishin tejkaluar objektin e dakordësuar dhe nuk kërkonin leje ndërtimi, pasi hynin në kategorinë e ndërhyrjeve që nuk shtonin volum ndërtimor. Në ditën e konstatimit, brenda objektit ndodheshin tre-katër punëtorë të punësuar prej tij, duke kryer punime mirëmbajtjeje dhe suvatimi.

Në praktikë, situata duket qartësisht absurde: një inxhinier përfundon në pranga për kryerjen e detyrës së tij, ndërsa pronari i resortit luksoz, që përfiton direkt nga ndërhyrja e paligjshme, vetëm “pyetet” dhe nuk ndiqet penalisht.

Historia e “Tropikalit” duket si një shembull klasik ku ligji zbatohet sipas peshës së portofolit. Ndërsa punëtori ndëshkohet, biznesmeni vazhdon të shijojë përfitimet, duke treguar se në Shqipëri, ndonjëherë, drejtësia ka dy hapa, një për ata që punojnë dhe një për ata që posedojnë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit