Fqinjët s’e kishin parë që në dhjetor, 60-vjeçari që jetonte vetëm gjendet i pajetë në shtëpinë e tij

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 29.08.2025, 12:51

Një ngjarje e rëndë ka tronditur paraditen e sotme lagjen nr. 4 të qytetit të Korçës, ku trupi i pajetë i një 60-vjeçari është gjetur në gjendje të dekompozuar brenda banesës së tij.

Sipas informacioneve paraprake, viktima është identifikuar me inicialet P. S. dhe mësohet se jetonte i vetëm, por më tani nuk janë bërë të ditura shkaqet dhe rrethanat e vdekjes.

Policia njofton se trupi është gjetur rreth orës 11:30, ndërsa në vendngjarje ndodhet grupi hetimor që po punon për përcaktimin e saktë të kohës së ndarjes nga jeta dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Vëllai i tij, i cili jeton në Tiranë, ka rrëfyer jashtë kamerave se kishte muaj pa pasur asnjë komunikim me të. Ai shprehet se vetëm pas marrjes së lejes së zakonshme nga puna kishte vendosur të vizitonte shtëpinë e përbashkët në Korçë, ku dhe u përball me skenën tragjike.

“Prej dhjetorit, vëllai im nuk ishte parë nga komshinjtë. Unë nuk kisha komunikim me të, sepse jetoj në Tiranë dhe merrem me punë. Tani që mora lejen e zakonshme, vendosa të vij të shoh shtëpinë që e kemi të përbashkët. Kur erdha, e gjeta të pajetë,” – tha ai.

Sipas dëshmisë së familjarëve, viktima ishte i ndarë nga bashkëshortja dhe kishte dy fëmijë – vajza jeton jashtë vendit, ndërsa djali në Tiranë, i cili është njoftuar për ngjarjen dhe është nisur drejt Korçës.

Po ashtu, mësohet se 60-vjeçari vuante nga probleme të zemrës dhe trajtohej me kemp për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Autoritetet kanë nisur hetimet dhe pritet që ekspertiza mjeko-ligjore të hedhë dritë mbi shkaqet e vdekjes së 60-vjeçarit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit