Detaje të reja janë zbuluar lidhur me vrasjen e 61-vjeçarit Piro Prroni në fshatin Abat të Shalës.
Autori i dyshuar, 58-vjeçari Ndoc Maçaj, u vetëdorëzua në polici dhe dha një version të ngjarjes, ku pretendon se veprimi i tij ka qenë në vetëmbrojtje.
Sipas dëshmisë së Maçajt, mbrëmjen e së enjtes, gjatë daljes nga prona e tyre, nisi një konflikt verbal me viktimën. Situata u tensionua kur Piro Prroni tentoi ta godiste me një kosë, ndërsa autori nxori pistoletën dhe qëlloi në ajër për t’i frikësuar. Konflikti vijoi dhe më pas Maçaj qëlloi drejt 61-vjeçarit, duke thënë se veproi për t’u mbrojtur.
Sipas dëshmisë së autorit, ai dhe viktima ishin nga i njëjti fis, çka tregon edhe lidhjet familjare mes tyre.
Hetimet për ngjarjen vijojnë nga autoritetet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore.