Një episod i turpshëm është regjistruar dje në kryeqytet me tifozët polakë të ekipit Jagiellonia, të cilët përpara syve të qytetarëve kanë “pushtuar” një kioskë në Tiranë dhe kanë grabitur çfarë u ka dalë përpara.
Ky incident i shtohet një sërë provokimesh dhe sjelljesh fyese të së njëjtës tifozeri, të cilat kanë nisur që dje në qendër të Tiranës. Fillimisht, disa prej tyre u filmuan duke kryer veprime të papërshtatshme mbi bustin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke u ngjitur mbi monument dhe duke shfaqur sjellje fyese para syve të qytetarëve.
Pak më pas, të njëjtit huliganë polakë u panë të valëvitnin në shesh flamurin provokues me mbishkrimin “Kosova është Serbi”, ndërkohë që qytetarë të shumtë raportuan se ata këndonin edhe kore të tipit “Vritini Shqiptarët”. Ky akt i rëndë u përshkrua si provokim i hapur, i motivuar nga ideologjia e tyre e njohur pro-serbe dhe anti-shqiptare.
Pas përfundimit të ndeshjes mes Dinamo City dhe Jagiellonias në “Air Albania”, situata degjeneroi edhe më shumë. Një prej tifozëve polakë, i identifikuar si një nga personat që përdhosi bustin e Skënderbeut, u dhunua nga disa tifozë shqiptarë në afërsi të stadiumit. Më vonë, autobusi me tifozët polakë u sulmua nga një grup tjetër pranë Rinasit, duke sjellë tensione të shumta dhe praninë e forcave të rendit.
Megjithatë, ajo që ka shkaktuar edhe më shumë zemërim është fakti se policia nuk ka marrë asnjë masë ndaj huliganëve polakë, të cilët përdhosën monumentet kombëtare, shfaqën flamuj ofendues, bënë thirrje raciste dhe dje grabitën kioskat në mes të qytetit. Në vend të kësaj, të vetmit që janë arrestuar janë disa tifozë shqiptarë, të cilët reaguan ndaj provokimeve dhe thirrjeve të rënda kundër shqiptarëve.
Ky standard i dyfishtë i trajtimit të ngjarjeve po shihet nga qytetarët si një padrejtësi e hapur, ku të huajt lejohen të shkelin ligjet dhe dinjitetin kombëtar, ndërsa shqiptarët ndëshkohen sapo reagojnë ndaj tyre.