Një 36-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane pasi akuzohet se ka hyrë me forcë në ambientet e një kompanie ndërtimi dhe ka shkaktuar dëme të mëdha mbi mjetet e punës, në një akt hakmarrjeje pas shkarkimit nga puna.
Ngjarja ka ndodhur më 18 gusht në Via San Giuseppe, ku i dyshuari, duke përfituar nga mungesa e pronarit që ndodhej jashtë shtetit me familjen, hyri në ambientet e firmës nëpërmjet një dritareje të thyer. Pasi vodhi disa vegla pune, ai goditi me çekiç dy kamionë të kompanisë, duke dëmtuar xhamat, dritat, dyert dhe pjesë të tjera të karrocerisë. Sipas vlerësimeve të para, dëmet kapin vlerën e mbi 15 mijë eurove.
Një kalimtar i rastësishëm, që e kishte parë të futej në ambientet e mbyllura të kompanisë, njoftoi policinë. Patrullat arritën në kohë për ta ndjekur dhe arrestuar teksa tentonte të largohej me biçikletë.
Pronari i kompanisë, që është edhe kunati i të arrestuarit, deklaroi për policinë se marrëdhëniet mes tyre ishin përkeqësuar ndjeshëm kohët e fundit, gjë që çoi edhe në largimin e tij nga puna. Dyshohet se sulmi ka qenë një akt hakmarrjeje për shkarkimin.
36-vjeçari është arrestuar me akuzat për tentativë vjedhjeje dhe dëmtim të mjeteve industriale. Pas ndalimit, prokuroria ka urdhëruar lirimin e tij në pritje të gjykimit. Veglat e marra janë sekuestruar për t’u kthyer te pronari.