Shqipëria po përjeton një krizë të vërtetë akustike. Në çdo hap të qyteteve tona dëgjohet një kakofoni që nuk gjen qetësi, bori makinash, zhurma marmitash, frenime të befta, fishkëllima, ulërima, kantiere ndërtimi dhe lokalet që nuk heshtin as ditën as natën.
Një raport i fundit i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit tregon se në shumicën e qyteteve të vendit niveli i zhurmës urbane ka kaluar limitet e lejuara, duke e kthyer jetën e përditshme në një sfidë për nervat dhe shëndetin e qytetarëve.
Kush po e thyen qetësinë urbane?
Sipas të dhënave, trafiku rrugor është shkaktari kryesor i emetimit të zhurmës, ndërkohë që lokalet kontribuojnë dukshëm si ditën ashtu edhe natën. Niveli i lejuar i zhurmës gjatë ditës është 55 dB, por në pothuajse të gjitha qytetet ky standard është tejkaluar. Përjashtim bën vetëm Lushnja, e cila rezulton brenda normave si ditën, ashtu edhe natën. Ndërsa gjatë periudhës së natës (45 dB), qytetet Kukës, Përmet dhe Lushnje qëndrojnë brenda kufijve, por të tjerat i tejkalojnë dukshëm.
Tiranë, Vlorë dhe Sarandë në krye të listës
Raporti evidenton se gjatë ditës, Tirana kryeson me tejkalim të normës me 15.1%, e ndjekur nga Vlora me 14.7%, Saranda me 13.6% dhe Gjirokastra me 11.1%. Ndërkohë, më “të qeta” rezultojnë Kukësi, Pogradeci, Përmeti dhe Lushnja.
Natën, panorama bëhet edhe më e rënduar. Vlora regjistron nivelin më të lartë të zhurmës me 18.75% mbi normën, pasuar nga Tirana me 16.51% dhe Saranda me 14.6%. Kjo tregon se qytetet bregdetare, të mbushura me turizëm dhe aktivitete gjatë verës, janë kthyer në epiqendra të shqetësimit akustik.
Qytete që nuk flenë
Fenomeni i trafikut, sipas ekspertëve, është shpesh i paparashikueshëm, çka bën që në momentin e matjes nivelet të ndryshojnë ndjeshëm. Megjithatë, trendi është i qartë: qytetet shqiptare po bëhen gjithnjë e më zhurmshëm.
Shqetësimi për zhurmën nuk është vetëm estetik. Mjekët paralajmërojnë se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj decibeleve të larta lidhet me rritje të stresit, probleme me gjumin, madje edhe rreziqe për sistemin kardiovaskular.