Pas publikimit të denoncimit në JOQ Albania, historia e vajzës shqiptare nga Gjermania që humbi portofolin me 1050€ në plazhin e Shkëmbit të Kavajës ka marrë një kthesë pozitive. Nëna e saj njoftoi mbrëmjen e djeshme se portofoli ishte dorëzuar në një lokal aty pranë dhe shuma e parave ndodhej e plotë brenda.
Mesazhi i nënës për JOQ:
“Mirembrema JOQ! Ju faleminderit shumë për postimin. Sapo mora një telefonatë nga një punëtore e restorantit. Zonja e ka dorëzuar portofolin. Për fat të mirë e gjithë shuma e lekëve ishte aty.”
Edhe vetë vajza, e cila kishte ardhur nga Gjermania vetëm disa orë më parë, dha falënderimin e saj:
“Mirëmbrëma, jam goca në video. Gruaja e kishte dorëzuar në lokalin ngjitur. Falë postimit u morëm vesh me shumë njerëz të mirë. Po 100% i kam marrë të gjitha materialet e humbura. Faleminderit nga ana juaj.”
Kujtojmë se episodi u regjistrua ditën e djeshme në zonën e Shkëmbit të Kavajës në Durrës. Teksa luante me motrën e saj në një park lodrash, vajzës i ra portofoli nga çanta e pambyllur. Brenda ndodheshin 1050 euro, të cilat ajo i kishte marrë për t’i shkëmbyer në lekë shqiptare.
Pamjet tregonin se portofoli u gjet fillimisht nga një vajzë e vogël 6-vjeçare, e cila ia dorëzoi nënës së saj. Por menjëherë pas këtij momenti, një grua e moshuar iu afrua, ia mori dhe deklaroi se portofoli ishte i saj. Ky veprim shkaktoi reagime të shumta dhe solli apel publik nga nëna e vajzës që gruaja të reflektonte e t’ia kthente paratë.
Fundi i lumtur i kësaj historie tregon edhe njëherë fuqinë e reagimit qytetar dhe rëndësinë e denoncimit publik.