Tjetër skandal te Air Albania, kompania ajrore anulon fluturimin drejt Athinës, nuk u kthen paratë pasagjerëve

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 28.08.2025, 15:48

Kompania ajrore Air Albania vijon të zhytet në krizë, duke lënë pasagjerët të papërgatitur dhe të zhgënjyer. Pas anulimit të fluturimeve drejt Lubjanës për datën 1 shtator, tashmë kanë nisur denoncimet edhe për linjën Tiranë–Athinë, e planifikuar për datën 4 shtator.

Një udhëtare ka denoncuar se kishte prerë biletën që një muaj më parë, me garancinë se gjithçka ishte në rregull. Pagesa ishte kryer dhe kompania kishte dërguar konfirmim elektronik. Megjithatë, vetëm pak ditë para nisjes, ajo mori një email të shkurtër ku thuhej se fluturimi ishte anuluar, pa dhënë arsye dhe pa ofruar asnjë mundësi për rimbursim.

Përballë mungesës së komunikimit, qytetarja është detyruar të blejë një biletë të re në moment të fundit, duke paguar trefishin e çmimit fillestar. Përpjekjet për të kontaktuar kompaninë kanë rezultuar të kota, pasi numrat e telefonit rezultojnë të paarritshëm, ndërsa email-et kanë mbetur pa përgjigje.

Kjo nuk është hera e parë që pasagjerët ndeshen me situata të ngjashme. Raste të përsëritura anulimesh dhe mungese transparence po i japin gjithnjë e më shumë formë një krize serioze brenda Air Albania.

Në kushtet aktuale, pasagjerët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve shtetërore për mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe për kthimin e parave të humbura.

Mesazhi i qytetarit:

"Përshëndetje JOQ,

Dua të bëj një denoncim për kompaninë ajrore Air Albania, e cila mendon se është normale t’u marrë paratë qytetarëve, të anulojë biletat në moment të fundit dhe të mos japë asnjë përgjigje në telefon apo në email, e aq më pak të kthejë paratë (refund).

Para një muaji kam blerë një biletë me Air Albania për të udhëtuar drejt Athinës. Paratë i kanë marrë dhe në email më siguruan se gjithçka ishte në rregull dhe se fluturimi ishte i garantuar. Data e udhëtimit ishte më 4 shtator.

Sot më dërgojnë një email ku thjesht njoftojnë se fluturimi është anuluar, pa dhënë arsye, shpjegim apo ndonjë opsion për kthimin e parave.

Nuk është hera e parë që ndodhin gjëra të tilla me këtë kompani, por deri tani kemi zgjedhur t’i injorojmë. Megjithatë, kur një problem përsëritet, nuk mund të mbyllim sytë më.

Pas anulimit kemi tentuar t’i kontaktojmë në telefon, por askush nuk përgjigjet ose shfaqet sikur numri nuk ekziston. Edhe email-et tona kanë mbetur pa përgjigje.

Për shkak të kësaj situate, më është dashur të blej një biletë tjetër në moment të fundit, e cila më ka kushtuar trefish më shtrenjtë se e para.

Anonim, ju lutem."

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit