Në një aksion të përbashkët të zhvilluar në rrugët “Anri Dinan” dhe “Mbretit Petri I”, Drejtoria e Inspektimit e Komunës së Mitrovicës Veriore, në bashkëpunim me Inspektoratin Sanitar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Policinë Rajonale të Veriut, ka kryer inspektime në objektet hotelierike “Smuggler” dhe “Knez”.
Gjatë kontrollit u konstatua shkelje e ligjit për ndalimin e pirjes së duhanit në hapësira të mbyllura, për çka të dy bizneset u gjobitën me nga 1000 euro. Po ashtu, u evidentuan mungesa të dokumentacionit sanitar, përfshirë libreza sanitare, fotografi dhe certifikata mjekësore, si dhe u kërkua ndërmarrja e trajtimeve DDD dhe përmirësimi i kushteve higjienike.
Në kuzhinat e lokaleve u gjetën produkte ushqimore me afat të skaduar si dhe akullore pa deklaratë për përmbajtjen, të cilat u asgjësuan menjëherë nga autoritetet kompetente.
Ndërkaq, gjatë kontrollit u konfiskua edhe një sasi e konsiderueshme e pijeve alkoolike pa pulla akcize të markave të njohura si: Ballantine’s, Chivas, Johnnie Walker, Gordon’s, Tanqueray, Absolut, Pepe Lopez, El Jimador, Courvoisier, Regent, etj., me një vlerë tregtare që arrin në mijëra euro.
