Çdo ditë në rrugët e vendit tonë ndodhin me dhjetëra aksidente automobilistike, për shkaqe nga më të ndryshmet duke nisur që te parakalimet e gabuara, shpejtësia mbi normat e lejuara, deri te pakujdesitë e momentit.
Por së fundmi një ndër shkaqet e shpeshta të aksidenteve është edhe prania e kafshëve në rrugë, të cilat shpeshherë kthehen në burim potencial për ngjarje të rënda.
Një rast i ngjashëm është shënuar së fundmi në autostradën pranë TEG-ut, në Unazën e Madhe të Tiranës. Një tufë delesh që po kalonte përmes autostradës është përplasur nga automjetet që lëviznin me shpejtësi në zonë.
Një qytetar ka dërguar në redaksinë tonë pamjet ku shihen disa dele të lënduara si pasojë e përplasjes me automjetet.
“Përshëndetje JOQ...ja delet në autostradën e TEG-ut! Ky burri që ka delet këtë punë bën çdo natë. I kalon në autostradë, 100 herë kanë bërë aksidente shoferët këtu vetëm nga ky plaku poshtër që mban delet. I merr i kalon në autostradë gjithmonë. ‘Këtu i kaloj gjithmonë,’ tha,” përfundon denoncuesi.
Ngjarje të tilla ngrenë alarmin për marrjen e masave të menjëhershme, për të izoluar hyrjet e kafshëve në autostrada, në mënyrë që aksidentet e këtij lloji të shmangen. Thirrja në këtë rast u drejtohet institucioneve kompetente për të ndërmarrë masa konkrete, por edhe vetë shoferëve, që të tregohen më të kujdesshëm në drejtimin e automjeteve.