Banorët e fshatit Vilëz, që bën pjesë në njësinë administrative Zall-Bastar të Bashkisë Tiranë, kanë kontaktuar redaksinë tonë për të denoncuar gjendjen e rënduar të rrugës që lidh fshatin me zonat e tjera.
Edhe pse ndodhet vetëm pak kilometra larg nga qendra e Tiranës, rruga është në kushte tejet të amortizuara, gjë që sipas banorëve, e bën situatën gjithnjë e më të vështirë, sidomos tani që afrohet dimri.
“Përshëndetje JOQ! Shikoni në çfarë gjendje është rruga e fshatit Vilëz, pa nisur akoma dimri është kthyer në katastrofë,” shkruan një prej banorëve.
Ai shton se premtimet për asfaltimin e rrugës janë përsëritur prej vitesh, por deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret.
“Ka të paktën pesë vjet që na thonë se do ta asfaltojnë, por ende nuk është bërë asgjë,” thekson ai.
Banorët apelojnë që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë sa më parë, pasi rruga e amortizuar u vështirëson lëvizjen e përditshme dhe po ndikon negativisht në jetën e komunitetit, duke çuar gradualisht në boshatisjen e zonës.