Një denoncim i mbërritur pranë redaksisë së JOQ Albania sjell në vëmendje një situatë skandaloze që po ndodh këtë sezon turistik në Shëngjin. Pushuesit tregojnë se, përveç shazlloneve të ngjeshura ku duket sikur të gjithë qëndrojnë së bashku si një grup i vetëm gjigant, një tjetër problem me përmasa edhe më të mëdha ka dal në pah, në Shëngjin plehrat që kanë pushtuar bregun.
Pamjet dhe dëshmitë tregojnë se para hotelit “Tanushaj” ndodhet një hapësirë e vogël pa shazllone, e cila përdoret nga shumë qytetarë, kryesisht familje me fëmijë. Por kjo pjesë, në vend që të shërbejë si një oaz pushimi, është kthyer në një landfill plehrash. Qeset plastike, kanaçet dhe mbeturinat e hedhura kuturu janë bërë shoqëruesit e përditshëm të pushuesve.
“Bashkia duhet të ndërhyjë menjëherë. Më e pakta është të vendosë disa koshë plehrash. Nuk mund të pretendojmë që turistët të vijnë në Shëngjin dhe të notojnë bashkë me qese plastike dhe kanaçe. Është e turpshme për një vend që kërkon të tërheqë vizitorë”, shprehet denoncuesi.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, i njohur për fotot e bukura promovuese në rrjete sociale, duket se harron se turizmi nuk mbahet vetëm me “pamje nga droni”, por edhe me koshë plehrash e pastërti minimale. Vetëm 6 ditë më parë në rrjetin e tij social ai e quan Shëngjinin si plazhi më i mirë i sezonit turistik për vitin 2025, të cilët do ta kishin zili perlat e jugut apo ishujt grek por jo për nga pastërtia apo bukuria por nga “llumi”.
Shpresojmë që Pjerini të zbresë me këmbë në tokë dhe të heq dorë nga posterat dhe reklamat, dhe të përballet me realitetin e vërtet por të hidhur, Shëngjini po mbytet nga plehrat.
Mesazhi i qytetarit:
“Përshëndetje JOQ,
Do doja të denoncoja një situatë skandaloze këtë sezon pushimesh, ku plazhet janë mbushur plot me njerëz. Përveç faktit se shezlongët janë vendosur shumë afër dhe duket sikur jemi të gjithë një grup i madh, problem mbetet edhe gjendja e plehrave në plazhin e Shëngjinit.
Para hotelit “Tanushaj” është një pjesë e vogël pa shezlongë, por që frekuentohet nga shumë njerëz, mes tyre edhe familje me fëmijë. Aty plehrat kanë nisur të dalin jashtë kontrollit, me grumbuj qëndruar prej kohësh kudo.
Bashkia duhet të ndërhyjë menjëherë për këtë situatë, sepse është vërtet e turpshme. Më e pakta që mund të bëjë është të vendosë disa kosha plehrash. Nuk mund të pretendojmë të vijnë turistët dhe të notojnë bashkë me qese e kanaçe.”