Banorët e pallateve të Malazezit në ankth: “Lagjja jonë është kthyer në terminal furgonësh”

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 27.08.2025, 10:18

Një denoncim ka mbërritur pranë redaksisë sonë nga banorët e zonës së pallateve të Malazezit, te Kthesa e Kamzës. Dikur një lagje e qetë dhe e sigurt për familjet, sot është shndërruar në një zonë kaosi, për shkak të zhvendosjes së terminalit të furgonëve të veriut mes pallateve të banuara.

Sipas qytetarëve, problemi është përkeqësuar ndjeshëm këtë vit, pasi me rikonstruksionin e terminalit kryesor, të gjithë furgonët janë spostuar përkohësisht brenda lagjes. Pasojat, sipas tyre, janë të rënda: zhurmë e pandërprerë, ndotje, mungesë sigurie për fëmijët që luajnë poshtë pallateve dhe stres i vazhdueshëm për banorët.

“Është e papranueshme që një lagje banimi të kthehet në stacion transporti. Ne jetojmë çdo ditë me frikën se mos ndodh ndonjë aksident, për shkak të qarkullimit të pandalur të mjeteve të mëdha,” – shkruan një prej banorëve në emër të gjithë komunitetit.

Banorët i bëjnë thirrje institucioneve përkatëse, veçanërisht Bashkisë së Tiranës dhe autoriteteve të transportit, që të ndërhyjnë sa më shpejt për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi. “Kërkojmë vetëm një gjë të thjeshtë: të jetojmë në qetësi dhe siguri,” përfundon apeli i tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit