Ngjarja e rëndë e ndodhur tre ditë më parë në Sarandë, ku një 15-vjeçar nga Tirana i dha fund jetës, ka tronditur opinionin publik dhe ka hapur diskutime të thella mbi shëndetin mendor të adoleshentëve.
Pas publikimit të lajmit, në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një mesazh prekës nga një 17-vjeçar, i cili ka rrëfyer përjetimet e tij të dhimbshme dhe mendimet e rënda që ka kaluar ndër vite. Ai tregon se ka qenë mbi 10 herë në prag të vetëvrasjes, por ka mundur të ndalet në momentet e fundit.
Në dëshminë e tij, adoleshenti apelon fuqishëm tek prindërit që të mos e marrin si të mirëqenë lumturinë e fëmijëve të tyre. Sipas tij, shumë adoleshentë dinë ta fshehin dhimbjen dhe të “aktrojnë” sikur çdo gjë është në rregull, ndërkohë që brenda tyre po vuajnë tmerrësisht.
Ai nënvizon se përqafimi, komunikimi i sinqertë dhe kujdesi i vazhdueshëm i prindërve mund të bëjnë ndryshimin mes jetës dhe vdekjes për fëmijët e tyre.
Në fund, i riu shprehet se dëshiron që mesazhi i tij të publikohet, me shpresën se mund të parandalojë një tjetër tragjedi.
Më poshtë, rrëfimi i plotë i tij:
“Përshëndetje JOQ, doja të shkruaja diçka në lidhje me fatkeqësitë që po ndodhin në Shqipëri për vetëvrasjet. Jam një djalë 17 vjeç, i cili kam qenë mbi 10 herë gati në atë gjendje. E di shumë mirë se çfarë mendimesh mund të kenë pasur të ndjerët.
Doja të thoja vetëm diçka: prindërit t’i kushtojnë shumë vëmendje fëmijëve, të mos i anashkalojnë, sepse fëmija i tyre mund të duket i lumtur, por kjo është gjëja më e gabuar. Mund të jetë e kundërta.
E kam kaluar vetë. Prindërit e mi më pyesnin përherë, çdo moment, por që të mos i shkaktoja mërzitje, nuk i tregoja kurrë. Aktroja sikur çdo gjë ishte mirë, por po digjesha përbrenda, dhe ata të shkrejtët më besonin. Mund të isha postuar dhe unë te faqja juaj, por mendoja pak më shumë...
Nejse, edhe një herë: prindër, mos i lini fëmijët tuaj t’i kalojnë problemet vetëm. Afrohini sa më afër vetes tuaj.”
I pyetur më tej nga redaksia jonë se çfarë mendimesh i vijnë kur përjetonte kriza të tilla, ai përgjigjet:
“Sikur do lirohesh nga diçka që të mban peng. Rast tjetër që kam pasur: e ardhmja, të gjithë moshatarët e mi do ecnin në jetë, unë jo. Sikur bota do ishte ndryshe pa mua, më e lumtur. Sikur jam i tepërt në këtë botë. Do të ishte mirë nëse e postoje, mbase mund të parandalohet një tragjedi.”
Ky mesazh është një thirrje e dhimbshme, por e vërtetë, për çdo prind dhe institucion: fëmijët kanë nevojë për mbështetje, për vëmendje dhe për dashuri të pakushtëzuar. Vetëm kështu mund të parandalohet përsëritja e historive kaq tragjike.