Vrau gruan me thikë, shqiptari: E bëra se më tha me ironi “fëmija s’ishte i joti!”

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 26.08.2025, 20:33

Janë zbardhur detaje tronditëse nga procesi gjyqësor i 40-vjeçarit shqiptar Pandeli Nakoleci që vrau bashkëshorten e tij 36-vjeçare në qytetin e Volosit, Greqi.

Pas dërgimit në paraburgim, sot ai është paraqitur në gjykatë ku ka dhënë një dëshmi mbrojtëse, në të cilën ka hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tij, ndërkohë që përpjekja për të justifikuar aktin përfshin edhe deklarata fyese ndaj kujtimit të viktimës.

Në dëshminë e dhënë para trupit gjykues, ai ka mohuar kategorikisht se ka ushtruar dhunë të përsëritur në familje apo abuzim fizik e seksual. Sipas tij, këto pretendime janë “të pavërteta dhe të pabazuara”.

Megjithatë, ai ka pranuar se mbrëmjen e ngjarjes ka vepruar nën ndikimin e një provokimi emocional. 40-vjeçari ka pohuar se e ndjera i kishte thënë me ironi se “fëmija që humbi nuk ishte i imi”, gjë që, sipas tij, e ka futur në një “gjendje errësire mendore”.

Ai ka pretenduar se nuk kishte synim ta vriste gruan, por vetëm ta frikësonte, duke përdorur një thikë kuzhine që ndodhej në banesë. Në vijim të dëshmisë, ai ka kërkuar ekzaminim psikiatrik, duke theksuar se kohët e fundit kishte kaluar një periudhë të rëndë psikologjike. Sipas tij, më herët ishte shtruar me detyrim në spital psikiatrik pas një tentative vetëvrasjeje dhe ishte nën trajtim për çrregullime ankthi dhe konfuzioni.

Në gjykatë, 40-vjeçari ka shprehur pendesë, duke kërkuar falje publike nga fëmijët e tij dhe familjarët e viktimës. Ai ka thënë se “do të donte të ishte ai në vend të saj”.

Por ekspertiza mjeko-ligjore ka rrëzuar versionin e tij, pasi ka provuar se gruaja kishte marrë disa goditje të rënda, përfshirë dy fatale, një në qafë dhe një tjetër në zemër. Këto plagë, sipas mjekëve ligjorë, nuk lidhen me një tentativë “trembjeje”, por me një qëllim të qartë vrasës.

Pavarësisht mbrojtjes së paraqitur, gjykatësi dhe prokurori nuk u bindën nga pretendimet e tij, duke urdhëruar që i pandehuri të qëndrojë në burg, ndërkohë që hetimet do të vijojnë për të përcaktuar plotësisht motivet dhe gjendjen mendore të autorit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit