Bruna, nëna e 22-vjeçares Rozalinda që vuan nga sëmundja e rrallë ‘Neurofibromatozë’, i është drejtuar redaksisë sonë me një mesazh falënderimi plot emocion për të gjithë shqiptarët që u bënë krah në ditën më të vështirë për familjen e saj.
Dy ditë më parë ne publikuam thirrjen e saj të dhimbshme, ku tregonte se vajzës i duheshin 70 mijë euro për kurimin e 18 tumoreve në trup, dy prej të cilave në kokë. Sot, falë zemërbardhësisë së njerëzve nga çdo cep i Shqipërisë dhe diaspora, kjo shumë është mbledhur dhe Rozalinda ka në dorë një shans të ri për të luftuar me sëmundjen.
“Përshëndetje, jam mami i Rozalindës. Faleminderit shumë për çfarë po bëni për vajzën time,” shkruan Bruna mes lotësh.
Rozalinda pas pak ditësh feston datëlindjen e 23-të, të cilën do ta presë me më shumë shpresë. Tashmë e vetmja dhuratë që mund t’i bëni është një lutje nga zemra, që trajtimi i saj të ketë sukses dhe që ajo të ketë mundësinë të festojë edhe shumë datëlindje të tjera pranë familjes.