Instruktori i Ushtrisë: Po na largohen djemtë sepse duhet të rruhen çdo ditë

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 26.08.2025, 17:18

Një instruktor që merret me stërvitjen e djemve të rinj që i bashkohen Ushtrisë Shqiptare, i është drejtuar redaksisë sonë për të ngritur një shqetësim, pasi djemtë që shfaqin interes për t’u bashkuar me ushtrinë, largohen sapo kursi fillon.

E gjitha lidhet me një problem fare elementar, heqja e mjekrës! Sipas instruktorit, ushtria e ka në rregullore që djemtë çdo ditë duhet të shkojnë të rruar në stërvitje, dhe kjo gjë po i largon ata nga ky profesion pasi është e papërballueshme.

“Përshëndetje JOQ. Doja të ndaja një shqetësim në lidhje me Ushtrinë Shqiptare. Kemi bërë shumë herë kërkesa por nuk janë marrë parasysh ose nuk i kanë dorëzuar fare. Kam 15 vite që punoj si instruktor. Vijnë rekrutë të ri në kursin fillestar, janë shumë të përgatitur, pastaj bëjnë kërkesë të heqin dorë kur e kuptojnë se është me detyrim heqja e mjekrës,” shkruan ai.

Më tej instruktori thotë se ushtarët e rinj përdoren për të shuar zjarret, dhe kur vijnë të nesërmen në punë, eprorët e tyre nuk e marrin fare parasysh lodhjen e netëve pa gjumë, por i pyesin përse nuk janë rruar.

“Po e kuptojmë edhe ne se 15 vjet heqje mjekre çdo ditë na është bërë fytyra si sollë këpuce. Edhe në zjarre çdo ditë duke shkuar për emergjenca civile lodhen çdo ditë ushtarët, edhe gjëja e parë që shohin: Pse nuk e ke hequr mjekrën?! Kur ai ka qëndruar deri natën vonë për të fikur zjarrin,” shton instruktori.

Kërkesa e tij shkon për ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu: "Dua t’i bëj thirrje ministrit Pirro Vengu që ta marrë parasysh këtë kërkesë publike. T’i japë pamje të re Ushtrisë Shqiptare, sikur është Italia, Anglia etj. T’i lemë mbrapa kohët e komunizmit. Të paktën të mbahen mjekra me standard. Anonim të lutem.”

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit