Dy ditë pas aksidentit tragjik që i mori jetën dy motrave Dhimaku, fshati Korpaçez është mbuluar nga heshtja e dhimbjes dhe lotët e pafund. Sot, familjarë, të afërm dhe banorë të shumtë të zonës janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit Elvisë dhe Rezinë, dy vajzave që u shkëputën në lulëzim të jetës.
Dhimbja ka pllakosur çdo cep të fshatit. Thirrjet e dhimbshme të prindërve, të afërmve dhe miqve kanë shoqëruar arkivolet e tyre teksa shihet një pjesëmarrje e një numri të konsiderueshëm njerëzish.
Tragjedia ndodhi mbrëmjen e 24 gushtit, në aksin Sarandë–Delvinë. Dy motrat, të shoqëruara nga mikja e tyre Antonela Zhupa, po udhëtonin me makinë kur papritur u goditën fatalisht nga një automjet tjetër. Mjeti drejtohej nga 24-vjeçari Kevi Norra, punonjës i Ministrisë së Brendshme, i cili sipas hetimeve paraprake ishte duke lëvizur me shpejtësi dhe bëri një parakalim të gabuar. Përplasja kokë më kokë rezultoi fatale për Elvisa-n dhe Rezina-n, të cilat humbën jetën menjëherë, ndërsa shoqja e tyre mbeti e plagosur.
Ngjarja tronditi jo vetëm familjen dhe fshatin, por mbarë opinionin publik, sidomos pasi u zbulua se vajzat po shkonin të shisnin misra për të siguruar të ardhura për të kuruar vëllain e tyre i cili vuan nga leuçemia. Policia e ka arrestuar menjëherë Kevin Norrën i cili rezultoi i dehur, por kjo nuk e zbeh tragjedinë e madhe që ka shkaktuar.
Dy motrat Dhimaku, që njiheshin për buzëqeshjen dhe thjeshtësinë e tyre, sot janë kthyer në simbol të dhimbjes së një komuniteti të tërë. Fshati Korpaçez sot qan, duke përcjellë në banesën e fundit dy engjëjt e rinj që nuk patën mundësi të jetojnë ëndrrat e tyre.