Tri javë para se të vritej nga bashkëshorti, Marjola Nakoleci kishte shpëtuar jetën e tij duke e ndaluar nga një tentativë vetëvarjeje.
Kështu kanë deklaruar motrat e 36-vjeçares që ditën e sotme janë mbledhur bashkë me familjarët e miqtë, në Korçë për t'i dhënë lamtumirën e fundit. Ato kanë treguar për mediat se motra e tyre prej kohësh ishte nën dhunë sistematike dhe presion të vazhdueshëm nga 40-vjeçari që e vrau në sytë e fëmijëve.
Këta të fundit janë tronditur nga kjo ngjarje dhe vetë vajza e madhe e viktimës ka deklaruar se ka mohuar babain e saj dhe do të marrë hak për gjakun e nënës.
Sipas dëshmive të familjarëve, Pandeli Nakoleci ushtronte dhunë të vazhdueshme, e akuzonte gruan për tradhti dhe shpeshherë e detyronte të kryente marrëdhënie seksuale pa dëshirë, me qëllim për ta mbajtur të lidhur përmes një shtatzënie. Vetëm një muaj më parë, gjinekologu i kishte vendosur Marjolës masa parandaluese shtatzënie.
Ndërkohë, në Greqi vijojnë hetimet për autorin e krimit, Pandeli Nakolecin, i cili sot del para Gjykatës së Volosit për masën e sigurisë. Ai është shfaqur kontradiktor gjatë marrjes në pyetje, duke pretenduar herë se nuk e kishte planifikuar vrasjen dhe situata i doli nga kontrolli, e herë duke akuzuar bashkëshorten për tradhti dhe marrëdhënie jashtëmartesore.