Një i ri i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania përmes një thirrjeje të pazakontë. Bëhet fjalë për kafshën e tij shtëpiake, një mace, e cila i është marrë para disa ditësh në mënyrë të papritur.
Ngjarja ka ndodhur më 23 gusht, kur sipas pamjeve filmike që i janë vënë në dispozicion redaksisë, një qytetar shihet duke e marrë macen dhe duke e vendosur në koshin e biçikletës. Pa u menduar gjatë, ai është larguar nga vendi.
I riu tregon se prej tre ditësh po e kërkon në çdo cep të zonës, por deri më tani përpjekjet e tij kanë rezultuar të kota. Ai thekson se macja nuk është një kafshë e zakonshme rrugësh, por është e pajisur me librezë vaksinash dhe pasaportë, çka tregon se është e kujdesur dhe e dashur prej familjes.
Përballë kësaj situate, i riu bën një apel të hapur ndaj qytetarit që është filmuar duke e marrë: të kthejë macen aty ku e gjeti ose ndryshe do të shkojë në polici.
Mesazhi i qytetarit:
Më datë 23, ky zotëri më ka marrë macen. Kam edhe një video të qartë ku duket mirë personi. Nëse e sheh, le ta kthejë aty ku e ka marrë, përndryshe do ta denoncoj, sepse kam videon e qartë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen 15, rruga Shkodra, në Durrës.
Ju lutem, postojeni sepse kam 3 ditë që po e kërkoj dhe nuk kam lënë vend pa shkuar. Në videon tjetër shihet momenti kur ndalon, merr macen dhe largohet. Një kamerë tjetër e vendosur tregon se macen e vendos në kosh të biçikletës dhe largohet.
Maca ka pasaportë, librezë vaksinash dhe dokumente të tjera. Ju lutem, të paktën thoni që do t’i japë pasaportën dhe librezën.