Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një hotel në Borsh të Vlorës, ku pronari i objektit, 26-vjeçari Emanuel Shkëmbi, është arrestuar nga Policia pas një konflikti të dhunshëm me dy punonjëse, nënë e bijë, të cilat i ka kërcënuar me armë zjarri.
Sipas informacioneve zyrtare, punonjëset e hotelit, A.O., 21 vjeçe, dhe nëna e saj R.O., 53 vjeçe, janë konfliktuar me Shkëmbin në ambientet e jashtme të hotelit. Konflikti ka përfunduar me kërcënime me armë ndaj dy grave.
Policia ka reaguar menjëherë duke arrestuar 26-vjeçarin për kanosje dhe armëmbajtje pa leje. Ndërkohë, nën hetim është vënë edhe i ati i tij, Alfred Shkëmbi, 56 vjeç, i cili ka ushtruar dhunë fizike ndaj një punonjëseje tjetër, A.K.
Në këtë ngjarje është përfshirë edhe një 76-vjeçar me inicialet P.B., i cili akuzohet se ka fshehur armën e zjarrit pas konfliktit. Pistoleta u gjet nga policia e fshehur në një valixhe, brenda një çante të vogël.
Ngjarja ka ndodhur në kulmin e sezonit turistik, në një nga zonat më të frekuentuara të rivierës shqiptare, duke ngritur shqetësim për sigurinë në ambientet e shërbimit ndaj turistëve. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë, ndërsa pritet që prokuroria të japë masat ndaj të përfshirëve në ditët në vijim.