Një problem shqetësues i përnatshëm po ua prish qetësinë banorëve të lagjes 9 në Durrës, pranë Muzeut të Dëshmorëve. Një qytetare i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar sjelljen e një grupi adoleshentësh, të cilët çdo mbrëmje mblidhen tek stolat e lagjes dhe qëndrojnë aty deri në orët e para të mëngjesit duke bërtitur, qeshur me zë të lartë e duke bërë zhurmë.
Sipas saj, situata ka shkuar deri në orën 2-3 të mëngjesit, duke ua bërë të pamundur gjumin banorëve, të cilët kërkojnë vetëm pak qetësi. “Është kthyer në stres të përnatshëm”, shprehet ajo.
Denoncuesja tregon se Policia e Durrësit është lajmëruar disa herë, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete. Madje, sipas banorëve, përgjigjet e efektivëve kanë qenë ironike. “Na kanë thënë: ‘Po mirë bëjnë që qeshin, çfarë t’iu bëjmë, t’ua ndalojmë të qeshurën?’”, shprehet qytetarja.
Edhe përpjekjet e banorëve për të zgjidhur situatën me mirëkuptim nuk kanë dhënë rezultat. “Kur u kemi kërkuar të largohen, na kanë kërkuar falje për momentin, por më pas gjithçka ka vazhduar njësoj”, tregon ajo.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet, duke theksuar se kërkesa e tyre është e thjeshtë: të mos lejohet prishja e qetësisë publike në një zonë të banuar gjatë orëve të natës.