Detaje të reja kanë dalë nga aksidenti i rëndë i ndodhur mbrëmjen e kësaj të hëne në Vorë, ku humbi jetën një 66-vjeçar. Viktima është identifikuar si Kujtim Luka nga fshati Marqinet, i cili u përplas për vdekje nga një automjet në momentin që ndodhej duke lëvizur në këmbë.
Sipas të dhënave zyrtare të policisë, mjeti drejtohej nga Jani Tanushi, 53 vjeç, i cili pas ngjarjes është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme.
Ende nuk dihen me saktësi shkaqet dhe rrethanat që çuan në këtë aksident fatal, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rastit.
Ngjarja solli një prezencë të lartë të policisë dhe mjeteve shëndetësore në vendngjarje, përfshirë edhe ambulancën e morgut, duke shkaktuar shqetësim te qytetarët që raportuan rastin fillimisht.
Për shkak të bllokimit dhe devijimit të qarkullimit, në autostradën Tiranë–Durrës u krijuan radhë kilometrike trafiku, që zgjatën për një kohë të gjatë.