Dy motrat humbën jetën tragjikisht rrugës për te vëllai i sëmurë, “Fondacioni Firdeus” merr përsipër kurimin e 10-vjeçarit

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 25.08.2025, 22:24

Një ngjarje tragjike tronditi mbrëmjen e djeshme gjithë opinionin publik. Dy motrat, Elvisa dhe Rozina Dhimaku, 22 dhe 20-vjeçe, humbën jetën në një aksident të rëndë rrugor në segmentin Sarandë–Delvinë, ndërsa shoqja e tyre Antonela Zhupa, 24 vjeçe, mbeti e plagosur rëndë.

Të tria vajzat po udhëtonin nga fshati i tyre Kopaçez i Delvinës drejt spitalit të Sarandës, ku ndodhej i shtruar vëllai i motrave, vetëm 10-vjeç, i diagnostikuar me leukemi. Ato kishin marrë rrugën për të kaluar natën pranë tij, por fatkeqësisht nuk arritën kurrë në destinacion. Përplasja fatale ndodhi pasi 23-vjeçari Kevin Norra, duke drejtuar një mjet tip Audi Q5 në gjendje të dehur dhe me shpejtësi të lartë, doli në korsinë e kundërt dhe u përplas kokë më kokë me automjetin “Lancia” ku ndodheshin tre vajzat.

Mes kësaj dhimbjeje të papërshkrueshme, një rreze shprese ka ardhur nga solidariteti njerëzor. “Fondacioni Firdeus”, i drejtuar nga imami dhe bamirësi Elvis Naçi, ka marrë përsipër të mbulojë të gjitha shpenzimet për kurimin e të voglit, vëllait 10-vjeçar të vajzave që humbën jetën. Vetë Naçi e bëri publik lajmin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkroi ndër të tjera:

“Shprehim ngushëllime për humbjen e dy vajzave. Për vëllain e vogël Fondacioni do të paguajë çdo gjë për kurimin e tij. Kjo ngjarje me humbje kaq të madhe na preku të gjithëve pasi motrat po shkonin tek vëllai i tyre për vizitë. Nga mediat u njohem se vëllai i tyre vuan nga leucemia dhe Fondacioni do të paguajë kurimin e tij. Në këtë dhimbje kaq të madhe do t’i gjendemi pranë familjes e do të jemi në ndihmë të tyre për shërimin e djalit të vogël. Zoti ua lehtës oftë këtë dhimbje kaq të madhe 🤲 qofshi të xhenetit 🤲.”

Ndërkohë, në fshatin Kopaçez ka rënë një hije zie. Familja Dhimaku, e njohur për thjeshtësinë dhe sakrificat, është shkatërruar nga humbja e papritur. Babai i vajzave, një bari i thjeshtë që rriti fëmijët me mund e sakrifica, sot përballet me dhimbjen më të rëndë që mund të njohë një prind.

Ky aksident tragjik, i shkaktuar nga pakujdesia e një shoferi të dehur, u mori jetën dy të rejave dhe la pas dhimbje të pamatë. Por mes lotëve e pikëllimit, mbetet shpresa se i vogli i familjes do të mund të marrë kujdesin mjekësor që i nevojitet, falë mbështetjes së njerëzve me zemër të madhe.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit