Ku shkuan 20 mln euro të Gjiknurit? Himara ende në errësirë, hapet tender i ri 2 mln euro

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 25.08.2025, 20:13

Himara vijon të përjetojë ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike, pavarësisht miliona eurove të hedhura për modernizimin e rrjetit.

Në vitin 2016, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e drejtuar atëherë nga Damian Gjiknuri, njoftonte me bujë një investim prej 20 milionë eurosh për rrjetin energjetik nga Orikumi në Himarë, financuar gjysmë nga Koperacioni Italian dhe gjysmë nga vetë kompania OSHEE. Gjiknuri premtonte “furnizim pa ndërprerje”, dy nënstacione të fuqishme në Orikum dhe Himarë, si dhe një reformë që do ta kthehej në bazë për zhvillimin e turizmit në bregdetin e jugut.

Por realiteti doli krejt ndryshe. Banorët dhe pushuesit prej vitesh ankohen për mungesë të energjisë elektrike, madje edhe në sezonin turistik. Në verën e vitit 2024, në lokalin ku kryeministri Rama drekoj në Himarë, dritat u fikën sapo ai u largua. Edhe vetë mazhoranca ka pranuar defektet e përsëritura të rrjetit.

Në këtë situatë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë në Vlorë ka hapur një tender të ri me vlerë 199,7 milionë lekë (mbi 2 milionë euro) për “ndërtimin e rrjetit TM/TU jashtë koperacionit Italian në zonën e Himarës”. Me fjalë të tjera, rrjeti i ndërtuar vetëm pak vite më parë po ribëhet nga e para.

Pyetja që ngrihet është e thjeshtë: ku përfunduan 20 milionë euro të hedhura në vitin 2016 dhe pse banorët vijojnë të jetojnë me drita me orar? Reforma e shpallur si historike duket se ka dështuar, ndërsa një tjetër tender shumëmilionësh po hapet për të korrigjuar “gabimet” e së shkuarës.

Banorët të zhgënjyer ironizojnë: “Në Himarë dritat ikin çdo ditë, ndoshta për t’ua treguar turistëve si pjesë të autenticitetit shqiptar. Ç’i duam dritat, mjafton që na e thotë pushteti se kemi bërë reformë”.

Ndërkohë, heshtja institucionale dhe mungesa e hetimeve për destinacionin e 20 milionë eurove të investimit të vitit 2016 lënë të hapur dyshimet për një tjetër skandal financiar në sektorin energjetik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit