Gent Sula i Intersig lavatriçja e parave e Veliajt, Xoxa në apartamentin e tij në Bllok, lumë tenderat pa garë

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 25.08.2025, 18:02

Marrëdhënia mes biznesmenit Gentian Sula dhe çiftit Erion Veliaj-Ajola Xoxa është kthyer në një nga elementët më të ndjeshëm të dosjes që po hetohet nga Prokuroria e Posaçme. Nga njëra anë, Sula paraqitet si mik i afërt i tyre, por nga ana tjetër, dokumentet zbulojnë se kjo “miqësi” ka sjellë përfitime të drejtpërdrejta në formën e tenderave publikë dhe marrëveshjeve të dyshimta financiare.

Miqësia me çiftin Veliaj-Xoxa dhe vila në ish-Bllok

Para hetuesve të SPAK-ut, CEO i Intersig Vienna Insurance Group, Gentian Sula, ka deklaruar se i njeh Erion Veliajn dhe Ajola Xoxën prej më shumë se 10 vitesh. Në bazë të kësaj lidhjeje shoqërore, ai thotë se i ka vënë në dispozicion Xoxës një vilë në qendër të ish-Bllokut, “pa qira” dhe pa kontratë, për aktivitetin e organizatës së saj kulturore “Nan Gallery”.

Ky gjest, i paraqitur nga Sula si një favor miqësor, ka ngritur dyshime të forta në Prokurorinë e Posaçme, e cila e sheh si një raport fiktiv dhe të lidhur me interesa të tjera financiare.

Tenderat “pa garë” në Bashkinë e Tiranës

Një hulumtim i “Boldnews.al” mbi dokumentacionin e Bashkisë së Tiranës ka nxjerrë në pah se, paralelisht me marrëdhëniet shoqërore, Gentian Sula dhe kompanitë e tij kanë përfituar në mënyrë të vazhdueshme tendera publikë pa konkurrencë.

Vetëm kompania Intersig Vienna Insurance Group ka fituar gjashtë procedura tenderuese të zhvilluara nga bashkia dhe institucionet e saj, me një vlerë totale rreth 600 mijë euro. Në të gjitha rastet, “Intersig” ka qenë ofertuesi i vetëm:

  • Dhjetor 2017 – Sigurimi i automjeteve të Drejtorisë nr.2 të Punëtorëve të Qytetit të Tiranës.
  • Mars 2018 – Sigurimi i automjeteve të Qendrës Ekonomike për Zhvillimin dhe Edukimin e Fëmijëve.
  • Shkurt 2019 – Sigurimi TPL për Drejtorinë nr.3 të Punëtorëve të Qytetit të Tiranës.
  • Shkurt 2020 – Sigurimi i mjeteve të transportit për Drejtorinë e Pastrimit dhe Gjelbërimit.
  • Qershor 2023 – Sigurimi i impiantit të prodhimit të asfaltit në Drejtorinë e Rrugëve dhe Ndriçimit Publik.
  • Dhjetor 2022 – Përmes kompanisë “Noa Control”, pjesë e grupit “Noa Holding” të Sulas, fitohet tenderi për “rioptimizimin e proceseve të punës” në Bashkinë e Tiranës, me vlerë 520 mijë euro.

Këto procedura, të gjitha të zhvilluara pa garë, vënë në pikëpyetje dallimin mes marrëdhënieve miqësore dhe interesave të drejtpërdrejta biznesore.

Kontrata e dyshimtë e kaparit

Një tjetër element i fortë i dosjes është kontrata e dhjetorit 2024 mes Ajola Xoxës dhe Gentian Sulës.

Dokumenti, i firmosur jashtë zyrës noteriale, parashikon dorëzimin e 110 mijë eurove cash nga Sula në zyrën e Xoxës, si “kapar” për një apartament.

Vetëm pak javë më vonë, më 9 janar 2025, gjatë një kontrolli të Byrosë Kombëtare të Hetimit, në kasafortën e Ajola Xoxës u gjetën 115 mijë euro. Pyetur nga prokurorët, Sula shpjegoi se ato para ishin pikërisht kapari i dorëzuar prej tij:

“Në lidhje me shumën 115 mijë euro, të gjendur në ambjentet e ‘Partner’s Law’, shtetasi Gentian Sula deklaron se ajo vlerë i është dhënë si kapar shtetases Ajola Xoxa. Ai sqaron se kartmonedhat kanë qenë kryesisht euro, por edhe dollarë dhe lekë. Shumat i ka tërhequr në kohë të ndryshme nga llogaritë bankare dhe i ka mbajtur në shtëpi.”

Megjithatë, kjo kontratë konsiderohet nga SPAK si plotësisht fiktive: jo vetëm që nuk ishte noterizuar, por ishte nënshkruar vetëm dy ditë para kontrollit të BKH-së, duke ngritur dyshime se ishte një manovër për të justifikuar shumat e gjetura.

Ndryshimi i deklarimeve – nga “kapari” te “favori”

Pas arrestimit të Erion Veliajt dhe ekspozimit publik të aferave të dyshuara korruptive, Gentian Sula ndryshoi tërësisht dëshminë e tij. Në seancën e 5 qershorit 2025, ai mohoi versionin fillestar, duke pohuar se nuk kishte paguar asnjë kapar dhe se kontrata ishte nënshkruar vetëm si favor për Ajola Xoxën:

“Unë nuk kam thënë të vërtetën, por kërkoj mirëkuptimin tuaj, sepse kam qenë i turbulluar.”

Ky ndryshim rrëzoi plotësisht versionin e parë dhe e ekspozoi Sulën si një dëshmitar kontradiktor, që sipas SPAK-ut, tentoi të ngatërronte hetimin.

Statusi aktual

Megjithë kontradiktat në deklarime dhe përfitimin e tenderave pa garë, deri më tani Gentian Sula nuk figuron në listën e të pandehurve në dosjen “Veliaj-Xoxa”. Ai vijon të shfaqet si dëshmitar, por rrethanat e përfshirjes së tij nga vila e dhënë “pa qira”, tek tenderat fituar në mënyrë të njëanshme dhe tek kontrata e kaparit e vendosin biznesmenin në një pozicion të dyshimtë për opinionin publik.

Për momentin, SPAK nuk ka dhënë detaje nëse Sula do të përballet me masa të mëtejshme, por rasti i tij mbetet një nga elementët kyç të enigmës së aferës që ka tronditur Bashkinë e Tiranës dhe ish-kryetarin e saj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit