Një grup prej katër shtetasish shqiptarë ka përfunduar në prangat e policisë greke, pasi akuzohen si autorët e një sërë grabitjesh në ishullin e njohur turistik të Mykonosit.
Sipas mediave vendase, të arrestuarit kishin shënjestruar banesa dhe akomodime turistësh në zona të ndryshme të ishullit. Vetëm gjatë periudhës 6–20 gusht, ata dyshohet se kryen 10 vjedhje dhe 3 tentativa të dështuara, duke përvetësuar sende me një vlerë totale që llogaritet rreth 138 mijë euro.
Hetimet zbuluan se banda vepronte kryesisht natën. Ata përdornin furgona me qira për t’u afruar te objektivat e tyre, thyenin dritare dhe dyer, më pas merrnin gjithçka me vlerë: para, bizhuteri, veshje e këpucë firmato, si dhe aksesorë të shtrenjtë.
Një pjesë të plaçkës e fshihnin mes shkëmbinjve për ta rimarrë më vonë, ndërsa pjesën tjetër e mbanin në vendin ku qëndronin. Nga kontrolli, policia gjeti e sekuestroi 3,395 euro cash, franga zvicerane, disa celularë dhe sende të tjera të vjedhura.
Identifikimi i tyre u bë i mundur falë kamerave të sigurisë të banesave të grabitura, të cilat dokumentuan lëvizjet e bandës.