Detaje të reja janë zbardhur lidhur me aksidentin tragjik në segmentin Delvinë-Sarandë ku dy motra, Elvisa dhe Rozina Dhimaku, 22 dhe 20 vjeçe, humbën jetën në mënyrë të menjëhershme, ndërsa shoqja e tyre Antonela Zhupa, 24 vjeçe, mbeti e plagosur rëndë.
Të tria vajzat po udhëtonin nga fshati i tyre Kopaçez i Delvinës drejt spitalit të Sarandës, ku ndodhet i shtruar vëllai 10-vjeçar i motrave, i diagnostikuar me leucemi. Vajzat kishin marrë rrugën për të kaluar natën pranë tij, por për fat të keq nuk mbërritën kurrë pasi 23-vjeçari Kevin Norra i përplasi për vdekje.
I riu me origjinë nga Fushëbardha e Gjirokastrës, po kthehej në shtëpi pas një pasditeje të kaluar në Sarandë. Ai drejtonte një mjet tip Audi Q5, me shpejtësi të lartë dhe në gjendje të dehur, siç treguan matjet e policisë: 1.52 mg/l në testin e parë dhe 1.42 mg/l në të dytin. Në një zonë me vija të pandërprera, ai kreu një parakalim të gabuar dhe doli në korsinë e kundërt, duke u përplasur kokë më kokë me mjetin “Lancia” ku ndodheshin tre vajzat.
Përplasja ishte fatale. “Lancia” u shkatërrua plotësisht në pjesën e përparme, ndërsa Audi doli nga rruga dhe u përmbys buzë asfaltit. 23-vjeçari nuk ka mbetur i lënduar, por është vënë menjëherë në pranga pasi akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Nga ana tjetër familja Dhimaku është e shkatërruar. Dyert e mortit janë hapur për Elvisa dhe Rozinën, ndërkohë që të afërmit përpiqen të qëndrojnë të fortë pranë të voglit të familjes, i cili nuk arriti t’i shohë motrat e tij për herë të fundit.