Izraeli bombardon spitalin në Gaza, vriten 4 gazetarë të tjerë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 25.08.2025, 13:05

Të paktën 15 persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur pas një sulmi ajror izraelit në Spitalin Nasser në Khan Younis të Gazës jugore, ditën e sotme.

Sipas agjencive ndërkombëtare të lajmeve dhe Ministrisë së Shëndetësisë, në mesin e viktimave janë edhe katër gazetarë palestinezë.

Referuar raportimeve të fundit, sulmi ishte i dyfishtë: një raketë goditi fillimisht katin e katërt të spitalit, ndërsa raketa e dytë u hodh pak minuta më vonë, duke goditur punonjësit e shpëtimit, gazetarët dhe qytetarë të tjerë që kishin shkuar në ndihmë.

Ndër të vrarët janë: Hussam al-Masri, kameraman për Reuters, Mariam Abu Dagga, gazetare freelance për AP dhe The Independent Arabic, Mohammed Salama, fotoreporter për Al Jazeera dhe Moaz Abu Taha, gazetar i rrjetit NBC.

Gjithashtu, Hatem Khaled, një tjetër fotograf për Reuters, ka mbetur i plagosur rëndë.

Reuters konfirmoi se transmetimi i drejtpërdrejtë nga vendngjarja, i drejtuar nga al-Masri, u ndërpre papritur në momentin e shpërthimit. Ndërsa Sindikata e Gazetarëve Palestinezë e cilësoi sulmin si një “krim brutal kundër medias së lirë”, duke akuzuar Izraelin për përpjekje për të frikësuar gazetarët dhe për të fshehur realitetin e luftës.

Zyrtarët izraelitë nuk kanë dhënë ende një koment zyrtar mbi sulmin, ndërsa organizatat ndërkombëtare të gazetarisë kanë kërkuar një hetim të pavarur dhe transparent.

Sipas të dhënave nga organizatat për lirinë e medias, numri i gazetarëve të vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023 ka arritur të paktën 274, shumica e tyre palestinezë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit