Një qytetare italiane, rezidente prej vitesh në Durrës, ka ngritur një shqetësim të fortë në lidhje me vonesat e pajustifikuara burokratike që po pengojnë vajzën e saj të vazhdojë studimet universitare në Spanjë.
Ajo ka treguar për JOQ ALBANIA, se në maj të vitit 2024, vajza e saj është diplomuar në Albanian College Durrës dhe duke mos patur mundësi studimi në Tiranë, vendosi të aplikojë në një universitet në Spanjë.
Por për të ndjekur studimet në Spanjë, ajo në tetor 2024 ka nisur procedurat për përgatitjen e dokumenteve, përfshirë marrjen e vulës apostile nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe siç ndodh rëndom në Shqipëri, ky proces është kthyer në një kalvar burokratik, pa përgjigje zyrtare dhe me vonesa të pakuptueshme.
Sipas qytetares, problemi fillestar qëndronte tek fakti se drejtoresha e Albanian College, e emëruar rreth një vit e gjysmë më parë, nuk kishte depozituar vulën dhe firmën pranë Ministrisë, çka bënte të pamundur legalizimin e dokumenteve nga zyra përkatëse në Durrës.
Që prej muajit shkurt 2025 e deri tani që jemi në fund të gushtit, qytetarja italiane thotë se po përballet me një ping-pong midis shkollës dhe ministrisë pasi ende nuk ka marrë dot vulën apostile dhe askush s'i jep përgjigje apo shpjegim zyrtar se ku qëndron problemi.
Qytetarja thotë se kjo situatë ka vënë në rrezik regjistrimin e vajzës në universitetin në Spanjë, pasi dokumentet nuk janë ende të vlefshme për njohje ndërkombëtare dhe prandaj kërkon një zgjidhje të menjëhershme nga autoritetet shqiptare.
Denoncimi i italianes:
Mirëmëngjes, unë jam një italiane që jetoj në Durrës, vajza ime ka ndjekur studimet në Albanian College në Durrës dhe është diplomuar në maj 2024. Kur zbuluam që universiteti i Tiranës nuk kishte më degën e studimit që vajza ime donte të ndiqte, ajo vendosi të shkonte në universitet në Spanjë. Kështu në tetor 2024 nisëm të gjithë dokumentet. Më pas nisi procedura për kërkesën e vulës apostiles mbi këto dokumente, por u përballa me një kalvar vuajtjesh sepse zbulova që drejtoresha e Albanian College në Durrës, pas një viti e gjysmë që ishte drejtoreshë, ende nuk kishte depozituar vulën dhe firmën në ministri.
Pra zyra në Durrës më thoshte që nuk mund të jepte apostilen sepse ajo nuk figuronte në ministri. Kalojnë muaj dhe vuajtje për të bërë që drejtoresha të depozitonte vulën dhe firmën, me gabime nga noteri këtu në Durrës që na bënë të humbnim shumë kohë. Pas këtij hapi, përsëri apostila nuk lëshohet. Albanian College thotë sepse ministria çdo herë ka kërkuar dokumente të reja. Ministria, unë kam shkuar në Tiranë nuk di sa herë për të folur me noter, për të pyetur si është e mundur.
Praktikisht nga shkurti 2025 deri sot, fund gushti 2025, unë ende nuk e kam apostilen. Nuk kuptohet pse, ministria nuk thotë asgjë, Albanian College asgjë dhe zyra thotë që nuk mund ta vendosë apostilen. Ju lutem, më ndihmoni, më thoni çfarë duhet të bëj, si duhet të bëj, kujt t’i drejtohem sepse kemi një problem të madh me universitetin në Spanjë që po pret këto dokumente. Faleminderit.
