Rrugët shqiptare vazhdojnë të kthehen në skena rreziku nga shoferët që i sfidojnë hapur rregullat e qarkullimit. Episodet e manovrave të rrezikshme dhe parakalimeve të gabuara janë denoncuar shpesh në redaksinë tonë, por duket se ndëshkimet e policisë nuk mjaftojnë për t’i ndalur “kamikazët” e timonit.
Një qytetar ka ngritur alarmin se disa drejtues automjetesh, të paduruar për të pritur në trafik, kryejnë parakalime që mund të kthehen në tragjedi brenda sekondave. Situata është veçanërisht shqetësuese në zonën e Ranës së Hedhun, ku gjatë sezonit veror fluksi i pushuesve sjell trafik kilometrik. Në vend që të presin, shoferë të nxehur futen në manovra të çmendura, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të të tjerëve.
Madje, edhe postoblloqet e shumta të policisë të vendosura në këtë aks nuk kanë arritur t’i frenojnë. Pyetja që ngrihet është e thjeshtë, por e rëndë: A do ta kuptojnë ndonjëherë këta shoferë se një parakalim i gabuar mund të marrë jetën e një njeriu të pafajshëm?
Mesazhi i qytetarit:
Ndërsa të gjithë të tjerët presim 1 orë për 1 km në rrugën Rana e Hedhun – Shëngjin, ka edhe nga ata që ‘s’kanë kohë për të humbur’… sepse sipas tyre, kohë kemi vetëm ne.