Orët e para të mëngjesit të sotëm u kthyen në një skenë aksioni në autostradën Durrës–Tiranë, aty ku dy të rinj, Ardit Domi dhe Leonard Çali, u përfshinë në një përplasje të dhunshme me policinë.
Gjithçka nisi rreth orës 01:00, në zonën e njohur si “Çifligu”, kur patrulla e policisë konstatoi një makinë të vjedhur më 20 gusht. I njëjti automjet ishte përdorur vetëm një ditë më pas për grabitjen e një pike karburanti në Sukth, nga ku autorët kishin marrë xhiron ditore.
Kur policia tentoi të ndalonte mjetin, Domi dhe Çali refuzuan t’i bindeshin urdhrit duke u larguar me shpejtësi. Në Vorë, automjeti doli nga rruga, por dy të rinjtë vijuan rezistencën, duke hapur zjarr, dyshohet me kallashnikov në drejtim të efektivëve. Përballë kësaj situate, policia u kundërpërgjigj me armë. Si rezultat, Ardit Domi mbeti i plagosur, ndërsa Çali u neutralizua dhe përfundoi në pranga.
Në mjetin e vjedhur u gjet një armë automatike dhe dy krehra. Burime për JOQ Albania theksojnë se dy të rinjtë, të njohur për pasionin ndaj palestrës, makinave luksoze dhe rrobave firmato, nuk është hera e parë që shfaqen të akuzuar për vjedhje.