Pak ditë më parë JOQ Albania publikoi historinë e Ajet Alibehajt, një 31-vjeçar nga Mallakastra i cili është diagnostifikuar me ‘Limfomë’, një formë agresive kanceri që prek sistemin limfatik.
Vëllai i tij Urimi me lot në sy kërkoi ndihmën e shqiptarëve për të mbledhur shumën e kushtueshme për kurimin e Ajetit. Kjo shumë u mblodh pasi rasti u bë publik nga redaksia jonë.
Urimi na ka dërguar një videomesazh ku falenderon të gjithë shqiptarët që iu gjendën pranë financiarisht por edhe me lutje, në këto momente të vështira që familja e tij po kalon.
“Përshëndetje si jeni? Shpresoj të jeni mirë. Po ju shkruaj përsëri sepse dua të bëj një falenderim për të gjithë ata që kontribuan për vëllain tim. Sapo ju e bëtë publike dhe e transmetuat, shuma e caktuar që ishte vendosur nga spitali u mblodh. Gjendja e vëllait është duke u përmirësuar, trupi ka filluar të fitojë imunitet edhe dashtë Zoti çdo gjë shkon për mrekulli,” shkruan ai.
I urojmë shërim të shpejtë Ajetit, dhe ju falenderojmë të gjithë ju që iu gjendët pranë atij në këto momente të vështira.