Prishtinalinjtë sfidojnë rrezikun, varen në dritaret e makinave gjatë ecjes

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 24.08.2025, 11:21

Disa të rinj nga Prishtina, të cilët udhëtonin në Rrugën e Kombit, janë filmuar duke kryer veprime të papërgjegjshme dhe të rrezikshme për jetën e tyre dhe të tjerëve. Qytetarë që udhëtonin në të njëjtin segment rrugor janë alarmuar nga sjelljet e tyre dhe kanë vendosur të dërgojnë pamjet në redaksinë tonë, për të denoncuar këtë fenomen që fatkeqësisht po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë.

Në videon e dërguar shihet qartë se tre makina lëvizin paralelisht, shumë pranë njëra-tjetrës, duke bërë manovra të rrezikshme, që jo vetëm shkelin çdo rregull të qarkullimit, por edhe vënë në rrezik udhëtarët e tjerë. Automjetet ecin pa ruajtur distancën e sigurisë, duke krijuar një situatë frike për drejtuesit e tjerë në rrugë.

Ajo që e rëndon edhe më shumë ngjarjen është fakti se pasagjerët dalin nga dritaret e makinave në lëvizje dhe varen jashtë tyre, si të ishin në një aventurë të rrezikshme. Fillimisht shihen dy vajza që dalin nga dritaret e makinës së parë duke filmuar automjetin që ndodhej pas tyre. Pak çaste më vonë, edhe djemtë që ndodhen në makinën tjetër përsërisin të njëjtën sjellje, duke e kthyer situatën në një lloj gare të papërgjegjshme mes tyre.

Nga pamjet duket se të rinjtë komunikojnë mes vete, megjithatë nuk dihet nëse kanë lidhje të drejtpërdrejtë apo thjesht kanë reaguar ndaj njëri-tjetrit gjatë udhëtimit. Në këtë çast, skena e tyre ka revoltuar qytetarët që ishin të pranishëm në rrugë.

Ky episod është shembull i qartë i papjekurisë dhe i mungesës së përgjegjësisë në rrugë. Sjellje të tilla jo vetëm që rrezikojnë jetën e vetë të rinjve, por kthehen në burim të mundshëm aksidenti për dhjetëra shoferë të tjerë që qarkullojnë në autostradë. Denoncime të tilla, duhen marrë seriozisht nga autoritetet, pasi vetëm një manovër e gabuar mjafton për të shkaktuar tragjedi.

Mesazhi i qytetarit:

Përshëndetje! Në rrugën e kombit 3 vetura me targë 01 të Prishtinës. Do aksidentohen do mbysin veten dhe ndonjë familje tjetër.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit