Një ndjekje që ngjan me skenë aksioni ka alarmuar Sukthin dhe Vorën në orët e para të mëngjesit. Ardit Domi, 28 vjeç, dhe Lorenc Çali, 27 vjeç, të dy nga Bilalasi, përdorën një makinë të vjedhur për të grabitur xhiron e një karburanti në Sukth.
Gjatë arratisjes makina e tyre përfundoi në kanal, në afërsi të Vorës, teksa në përpjekje për t’ia mbathur qëlluan në drejtim të policisë të cilët ishin vënë në ndjekje të tyre. Në këtë moment policia iu kundërpërgjigj duke lënë të plagosur njërin nga djemtë.
Në JOQ Albania kanë mbërritur pamje të reja nga ngjarja ku shihet se policia ka rrethuar zonën me automjete dhe efektivët e armatosur i urdhërojnë të rinjtë të ngrijnë duar lart. Ardit Domi i plagosuri ndodhet te Trauma, teksa Lorenc Çali u kap në vendngjarje dhe përfundoi në pranga.
Nga mjeti i grabitur para 4 ditësh u sekuestrua një armë automatike me dy krehra fishekësh, si dhe një njoftues policie që autorët kishin përdorur për të kaluar në rrugë pa u ndaluar. Ngjarja ka krijuar tension në Sukth dhe në afërsi të Vorës.