Skandal në Palasë: Posta e Policisë e mbyllur natën, “polici” del për të ndihmuar me rroba plazhi e shapka

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 24.08.2025, 17:02

Një situatë absurde është regjistruar pas mesnate, në Palasë, ku dy qytetarë kanë shkuar për të bërë një denoncim pranë postës së policisë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:20, ku qytetarët thonë se pas 45 minutash pritjeje, nuk gjetën askënd në postën e policisë, gjë e cila është e provuar nga pamjet e mbërritura në redaksinë tonë.

Sipas denoncimit, qytetarët telefonuan disa herë policinë dhe iu tha që të prisnin. Pas disa minutash, në vendngjarje mbërriti një person që u prezantua si polic, por i veshur me rroba plazhi dhe shapka me gisht.

Qytetarët nuk e pranuan këtë mënyrë, duke i thënë se nuk kishte asnjë garanci që ai ishte efektiv policie, pasi nuk kishte uniformë e as mjet identifikimi.

“Ne kemi 45 minuta që presim këtu dhe na vjen ti me rroba plazhi, me shapka dhe na thua hajde këtej. Ç’punë ke ti me policinë? Policia e Shtetit vjen me rroba plazhi?!” – dëgjohet një qytetar duke i thënë.

Personi në fjalë pranoi se “nuk ishte në orar pune”, por ofroi ndihmë. Reagimi i qytetarëve ishte i ashpër: “Ku ta di unë se nuk je hajdut apo kriminel dhe do të më grabisësh apo vrasësh?!”

Denoncimi i qytetarëve ngre sërish pikëpyetje mbi shërbimin e policisë në zonat turistike dhe mbi seriozitetin e strukturave shtetërore, sidomos në periudhën kur vendi është i mbushur me turistë dhe siguria duhet të ishte prioritet.

Vlen të theksohet se nuk është hera e parë që kjo postë policore bëhet pjesë e denoncimeve publike. Vetëm një vit më parë, në qershor 2024, posta e policisë në Palasë u “shkri” pas një rasti të rëndë neglizhence, kur një efektiv nuk ndërhyri për të ndaluar dy persona që lundronin me jet ski në një zonë të ndaluar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit