Një ngjarje e rëndë dhe e paprecedent është regjistruar në Ulqin, ku disa pushuese nga Kosova kanë kaluar çaste tmerri në ambientet e hotelit “Scandinavia”. Ato kishin shkuar për të kaluar pushimet, por ajo që i priste nuk kishte asnjë lidhje me pritshmëritë e një vendi turistik.
Sipas denoncimit, pas kryerjes së pagesës në recepsion, pushueset u ngjitën në dhomat e tyre, ku konstatuan se nuk kishte ujë dhe kondicionerët ishin jashtë funksioni. E pamundur të qëndronin në ato kushte, sidomos me fëmijë të vegjël, ato vendosën të largoheshin dhe kërkuan kthimin e parave.
Në këtë moment, situata ka marrë një kthesë të fuqishme. Pronari i hotelit, i revoltuar, jo vetëm që refuzoi të rikthente pagesën, por sipas vajzës denoncuese, e kapi atë nga krahu me forcë, ndërkohë që ajo mbante në duar fëmijën njëvjeçar. Për më tepër, ai ka ofenduar hapur edhe nënën e saj, duke përdorur shprehje fyese me bazë etnie ndaj kosovarëve.
Në vendngjarje mbërriti policia, por sipas qytetares nuk iu dha rëndësia e duhur situatës, duke e orientuar atë vetëm drejt komisariatit për të bërë kallëzim. Më tej, ajo shton se pamjet filmike nga kamerat e sigurisë në hotel janë fshirë.
Në fund, pas këmbënguljes së tyre, pushueset arritën të marrin mbrapsht paratë, por përjetimi i fëmijëve dhe sjellja e pronarit kanë lënë gjurmë traumatike.