Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Tiranë, ku një 21-vjeçar është dhunuar barbarisht nga tre persona.
Raportohet se autorët e dhunës janë 18-vjeçari Florjan Faslia, 21-vjeçari Mentor Daja dhe 19-vjeçari Samuel Tahiraj.
Konflikti mes tyre dhe 21-vjeçarit kishte nisur më herët në rrjetin social Instagram, dhe më pas tre të rinjtë i shkuan pranë banesës duke e goditur me sende të forta.
Si pasojë, i riu ka marrë dëmtime të shumta, sidomos në fytyrë, dhe ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, policia ka arrestuar tre autorët që akuzohen për “Plagosje e rëndë me dashje” të kryer në bashkëpunim.
Njoftimi i policisë:
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, pas marrjes së njoftimit se në rrugën ‘Mihal Popi’ kishte ndodhur një konflikt gjatë të cilit ishte dëmtuar me sende të forta një shtetas, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e autorëve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat i veprimeve të shpejta u identifikuan dhe u vunë në pranga shtetasit: F. F., 18 vjeç, M. D., 21 vjeç, S. T., 19 vjeç të tre banues në Tiranë.
Këta shtetas, në rrugën ‘Mihal Popi’, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta shtetasin M. B., 21 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Aktualisht, 21-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Materialet u referuan Prokurorisë për veprën penale ‘Plagosje e rëndë me dashje’ e kryer në bashkëpunim.”