Nuk kanë fund aferat ndërtimore të Fatmir Bektashit, pronarit të kompanisë “Kontakt” dhe ortakut të familjes Berisha. Pasi betonizoi gjysmën e Tiranës, Bektashi ka kthyer sytë nga Driloni në Pogradec, ku ka blerë një parcelë toke për të ngritur pallate.
Prej muajsh kompania ka nisur të ofrojë rezervime apartamentesh, por gjithçka po ndodh në mënyrë të paligjshme, pasi nuk ka një leje ndërtimi të miratuar nga institucionet shtetërore. Për më tepër, projekti bie ndesh me statusin e zonës së mbrojtur dhe udhëzimet e UNESCO-s për Parkun e Drilonit.
Sipas raportimeve të mediave, tre institucionet kryesore janë shprehur zyrtarisht:
Bashkia Pogradec ka konfirmuar se nuk ka asnjë dokument për këtë projekt.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) ka deklaruar se projekti nuk është i njohur nga institucioni, duke theksuar se Driloni është pjesë e Peizazhit të Mbrojtur të Liqenit të Pogradecit dhe Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) ka sqaruar se vetëm më 8 shkurt 2025 është dorëzuar një aplikim për leje ndërtimi për kompleksin “Pyjet e Drilonit”, por ende nuk ka vendim nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU).
Megjithatë, kompania “Kontakt” ka nisur shitjen e apartamenteve. Përballë interesimit të mediave, përfaqësuesit e saj refuzuan të japin detaje dhe pretenduan në mënyrë të rreme se projekti është miratuar nga UNESCO – gjë që është e pamundur, pasi ky institucion nuk jep leje ndërtimi, por vetëm rekomandime për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Nëse ky projekt nis pa miratimin ligjor të institucioneve shqiptare, Driloni – një nga perlat natyrore të Shqipërisë dhe pjesë e trashëgimisë botërore – rrezikon të kthehet në viktimë të radhës së betonizimit.