Një problem serioz është denoncuar nga banorët e fshatit Hamil në Fier, ku një kabinë elektrike qëndron e hapur në mes të rrugës, duke u kthyer në një rrezik të madh për jetën e njerëzve.
Në pamjet e mbërritura në redaksinë tonë shihet qartë se kabina, në të cilën qarkullon energji elektrike me tension 6 mijë vat, është lënë plotësisht pa mbulesë mbrojtëse. Kjo situatë ekspozon drejtpërdrejt kalimtarët, veçanërisht fëmijët që luajnë pranë saj, ndaj një rreziku fatal.
Banorët shprehen se ky problem vazhdon prej kohësh, ndërsa institucionet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente për të mbyllur dhe siguruar kabinën, përpara se të ndodhë ndonjë tragjedi e pariparueshme.
Mesazhi i qytetarit:
Përshëndetje, ju lutem! Kemi një shqetësim të madh në një fshat të Fierit, me një kabinë elektrike që është e hapur prej disa kohësh dhe është një rrezik i madh për fëmijët e vegjël. Ju lutem, bëjeni sa më shpejt publike këtë video. Në fshatin Hamil të Fierit. Ju lutem, bëjeni publike, se kështu i le Armando Subashi.