Një qytetar i është drejtuar redaksisë sonë për të ngritur një shqetësim që lidhet me gjendjen e trotuareve në disa zona urbane të vendit. Problemi nuk paraqitet si rast i izoluar, por si një fenomen që po përhapet gjerësisht dhe që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e këmbësorëve.
Trotuaret në shumë raste janë ndërtuar me gjerësi minimale, duke u reduktuar në shtrirje betoni ku shpesh është e mundur vetëm mbjellja e një peme, por jo kalimi i lirë i qytetarëve. Në disa raste, ato janë më të ngushta edhe se korsitë e biçikletave, duke mos përmbushur funksionin bazë për të cilin janë ndërtuar: mbrojtjen e këmbësorëve dhe sigurimin e ecjes së tyre pa rrezik.
Një situatë e tillë evidentohet në zonën e “Venue” në Tiranë, ku trotuari buzë rrugës është aq i ngushtë sa lejon kalimin vetëm të një personi. Vështirësitë bëhen edhe më të dukshme për prindërit me karrocë fëmijësh, të cilët shpesh detyrohen të zbresin në rrugë për të vijuar lëvizjen. Në këto kushte, këmbësorët ndajnë të njëjtën hapësirë me automjetet, duke u ekspozuar ndaj rrezikut të vazhdueshëm. Vetëm një lëvizje e gabuar e timonit nga ana e shoferëve mund të rezultojë fatale për këmbësorët të cilët janë të detyruar të ecin në rrugën e automjeteve.
Ky problem nuk lidhet vetëm me estetikën apo me elementë dekorativë urbanë, por me standardet e sigurisë në planifikimin e hapësirave publike. Ndërtimi i trotuareve të ngushta dhe jofunksionale lë jashtë vëmendjes rolin e tyre kryesor, që është ofrimi i një mjedisi të sigurt për qytetarët në lëvizje.
Pyetja që ngrihet është se cilat masa do të ndërmerren nga autoritetet për të siguruar trotuare funksionale, që i shërbejnë realisht këmbësorëve dhe nuk mbeten vetëm si mbulesë statistikash apo elemente të pjesshme dekorimi në rrugë.