Në Tomorricë të Skraparit, banorët po përballen me një mungesë të vazhdueshme të ujit të pijshëm. Denada, mbesa e një prej banorëve të zonës, ka denoncuar se burimi i ujit ruhet nga persona të armatosur që kërcënojnë jo vetëm banorët por janë më të fortë edhe përballë punonjësve të ujësjellësit dhe policisë.
Sipas saj as efektivët as ujësjellësi i Skraparit nuk kanë dhënë zgjidhje për situatën e cila ka lënë pa ujë fshatin duke vështirësuar mënyrën e jetesës së banorëve në këto ditë të nxehta. Punëtorët dhe punonjësit e uniformave blu, të cilët u angazhuan për të rregulluar furnizimin me ujë, nuk kanë marrë asnjë masë konkrete për të zgjidhur problemin.
Denada, e cila po kalon disa ditë pushimi tek gjyshja, ka shprehur shqetësimin e saj për mungesën e ujit, duke shtuar se është e pamundur të kryhen nevojat e përditshme, përfshirë larjen, për shkak të mungesës totale të ujit. Ajo është duke pritur ndërhyrjen e Ujësjellësit dhe shpreson që situata të ndryshojë.