Mëngjesin e djeshëm, një ngjarje e pazakontë ndodhi në Ksamil. Dy vajza turiste u denoncuan në JOQ Albania për vjedhjen e mbi 15 parfumeve të shtrenjta. Sipas denoncueses që u prek nga grabitja ngjarja ndodhi rreth orës 06:34. Ajo shprehu shqetësimin se turistet mund të jenë nisur drejt Tiranës për të larguar nga Shqipëria, duke kërkuar ndihmë për identifikimin e vajzave. Denoncimi, shoqëruar me një video të siguruar nga JOQ Albania, u publikua menjëherë.
Pas publikimit të këtyre materialeve nga JOQ Albania, Policia ka arrestuar 21-vjeçaren M.D. ndërsa dy bashkëpunëtoret e saj, G.D. (18 vjeçe) dhe G.C. (22 vjeçe), janë proceduar penalisht në gjendje të lirë. Disa nga parfumet dhe bizhuteritë e vjedhura janë sekuestruar si prova materiale. Policia njoftoi se materialet iu referuan Prokurorisë së Sarandës për hetime të mëtejshme, për veprën penale "Vjedhje në bashkëpunim". 21-vjeçarja italiane ka vjedhur nga tezgat që sheshin në qendër, sende të ndryshme, bizhuteri, parfume dhe suvenire me vlerë rreth 150 000 lekë.
“Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të veprimeve për goditjen e krimeve kundër pronës, pas marrjes së njoftimit për një vjedhje të ndodhur në zonën e Ksamilit, zhvilluan një punë hetimore të shpejtë dhe profesionale, e cila bëri të mundur identifikimin e autorëve, si dhe dokumentimin e plotë të gjithë mekanizmit të ngjarjes. Konkretisht, si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasja italiane: M. D., 21 vjeçe. Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë 2 bashkëpunëtoret e saj, shtetase italiane: G. D., 18 vjeçe, G. C., 22 vjeçe. Nga hetimet dyshohet se këto shtetase, më datë 21.08.2025, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, kanë kryer vjedhje të sendeve të ndryshme (bizhuteri, parfume dhe suvenire), të vendosura në stenda, në zonën e bulevardit të Ksamilit, me vlerë rreth 150 000 lekë”, njoftoi Policia.