Brenda pesë ditëve gjashtë persona humbën jetën në aksidente trafiku

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 22.08.2025, 12:14

Rrugët e Kosovës po shndërrohen gjithnjë e më shpesh në skena tragjedish.

Vetëm gjatë kësaj jave, vendi është përballur me një bilanc të rëndë humbjesh njerëzore si pasojë e aksidenteve në komunikacion. Brenda pesë ditë, gjashtë viktima.

Fillimi i javës solli një tragjedi familjare në Llapushnik të Drenasit, përgjatë rrugës Prishtinë–Pejë. Një çift bashkëshortor nga Drenasi humbi jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa djali i tyre 19-vjeçar, i cili mbeti i plagosur rëndë, nuk arriti t’u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë katër ditë më vonë.

Të enjten, në orët e para të mëngjesit, një aksident i rëndë ndodhi në fshatin Dollc të Klinës. Një veturë u përplas me një autobus, duke i marrë jetën një të riu 23-vjeçar – shofer i veturës. Pesë persona të tjerë mbetën të lënduar.

Po atë ditë, një tjetër viktimë u regjistrua në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, ku një drejtues mjeti humbi kontrollin dhe u vetaksidentua për vdekje.

Tragjeditë nuk ndalën as të premten. Në Pejë, një person humbi jetën pasi automjeti i tij u përplas me një shtyllë elektrike.

Përveç viktimave, ditët e fundit janë shënuar edhe disa aksidente të tjera me të lënduar, duke e bërë situatën në rrugët e Kosovës tejet shqetësuese.

Policia e Kosovës vazhdon të apelojë për kujdes maksimal nga drejtuesit e automjeteve, respektim të rregullave të komunikacionit dhe shmangie të shpejtësisë së tepruar, në përpjekje për të parandaluar humbje të jetëve njerëzore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit