Shtetasi polak, Esat Rexhepi, nga Komuna e Rahovecit, është rrahur brutalisht nga policia serbe gjatë kalimit të kufirit Serbi-Hungari, pasi autoritetet serbe e ndaluan për kontroll. Rexhepi, i cili ka shtetësi polake dhe jeton në Poloni, po udhëtonte drejt vendit të tij të banimit kur u ndalua nga policia serbe dhe u keqtrajtua fizikisht. Sipas informacionit të disponueshëm, policët serbë e kanë dhunuar pasi e kanë pyetur për lidhjet e tij me Hashim Rexhepin, një emër i njohur në Kosovë, duke përdorur këtë si arsye për ushtrimin e dhunës.
Ndërkohë, pasi autoritetet serbe kuptuan se Rexhepi kishte shtetësi polake, ata e liruan, por jo pa shkaktuar dëme të konsiderueshme fizike. Ky incident është një tjetër rast që shton shqetësimet për trajtimin e qytetarëve të Kosovës që kalojnë nëpër Serbi, ku dhuna dhe keqtrajtimi nga ana e policisë janë bërë gjithnjë e më të zakonshme. Esat Rexhepi është një nga të tre kosovarët e ndaluar nga autoritetet serbe në këtë rast, ndërkohë që dy të tjerët janë ende në ndalim për dyshime për krime lufte.
“Dhoma ishte me gjak më kanë mshu me pendrek në kokë”- rrëfeu Rexhepi, duke treguar se skena ishte makabër.
Për këtë incident, avokati i Esat Rexhepit, Gent Gjini, ka paralajmëruar një padi ndaj Serbisë për shkelje të të drejtave të njeriut, duke theksuar se ky rast do të dërgohet në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë në Strasburg. Avokati Gjini ka kërkuar reagimin e shtetit polak për të mbrojtur shtetasin e tij, duke theksuar se dhuna ndaj kosovarëve që kalojnë në Serbi është një shqetësim i vazhdueshëm dhe se duhet të marrë fund për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve të saj.