Prokuroria e Përgjithshme, institucioni që duhet të garantojë ligjshmërinë dhe mbrojtjen e parave publike, vetë akuzohet për abuzim të hapur me një tender. Objekti i kontratës ka qenë “Blerje materiale për funksionimin e pajisjeve të zyrës (tonera)” për Prokurorinë e Përgjithshme dhe institucionet në varësi. Tenderi është zhvilluar nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, ndërsa fituese është shpallur kompania Marketing & Distribution, në pronësi të Vilma Nushit, Niki Gleoudi dhe Dorothea Gleoudi.

Vlera e tenderit është 32.700.022 lekë të reja pa TVSH, që përkthehet në rreth 400 milionë lekë të vjetra me TVSH. Fondi limit i shpallur ka qenë 39.111.333 lekë të reja pa TVSH, afërsisht 470 milionë lekë të vjetra me TVSH. Nga kjo llogaritje, rezulton se vlera e shpallur fituese mbulon rreth 84 për qind të fondit limit, një përqindje që ngre dyshime serioze për paracaktim të rezultatit.

Nga dokumentacioni që disponon JOQ vihet re se kanë marrë pjesë 5 kompani. Njëra prej tyre nuk ka dorëzuar fare ofertë, ndërsa dy kompani të tjera kanë paraqitur oferta më të ulëta se ajo e shpallur fituese. Kjo do të thotë se shteti mund të kursente para, por në vend të kësaj është zgjedhur një ndër ofertat më të shtrenjta. Diferenca mes vlerës së fituar nga kompania e Vilma Nushit dhe ofertës më të ulët arrin në rreth 74 milionë lekë të vjetra, një shumë e konsiderueshme që del nga xhepat e qytetarëve.

Të gjitha këto elemente e bëjnë tenderin tepër të dyshimtë. Kur një institucion që ka për detyrë të hetojë vjedhjet dhe abuzimet, akuzohet për skema klienteliste dhe përzgjedhje të paracaktuar të fituesit, atëherë shkatërrohet çdo besim i publikut tek drejtësia. Ky tender është një shembull i pastër se si buxheti i shtetit vidhet me letra, me firma të preferuara dhe me procedura që në pamje të parë duken të rregullta, por që në thelb janë një grabitje e hapur.
Duke parë këtë rast, lind pyetja e thjeshtë por thelbësore: kush do të hetojë Prokurorinë e Përgjithshme kur ajo vetë duket se është bërë pjesë e skemave të abuzimit me paratë publike?
