Një motoçiklist ka shpëtuar për mrekulli nga një përplasje e mundshme në aksin rrugor Piqeras–Borsh.
Në pamjet e siguruara nga JOQ Albania, shihet një automjet tip Audi me targa 'AB 792 JB', i cili kryen një parakalim të rrezikshëm brenda një kthese. Në atë moment, përballë vjen një furgon, dhe drejtuesi i Audit, për të shmangur goditjen, rikthehet me shpejtësi në korsinë e duhur, duke vënë në rrezik jetën e motoristit.
Falë reagimit të shpejtë, motoristi ka arritur të frenojë në sekondat e fundit, duke shpëtuar pa lëndime.
Ngjarje të tilla fatkeqësisht ndodhin shpesh në rrugët tona, ku mungesa e kujdesit dhe parakalimet e rrezikshme kthehen në kërcënim serioz për jetën e të gjithë përdoruesve të rrugës. Apelojmë për të disatën herë: Tregoni kujdes gjatë drejtimit të automjetit.