Një tjetër skenë kaosi urban është regjistruar në zonën e Astirit, ku rreshti i makinave të parkuara pa kriter kanë bllokuar hapësirën anës rrugës. Pamjet e dërguara në redaksinë tonë tregojnë se automjetet, të lëna aty si të ishin garazh privat, kanë kthyer rrugën në një qorrsokak, duke penguar lëvizjen normale të mjeteve.
Për pasojë, shoferët detyrohen të futen në korsinë e biçikletave, duke vënë në rrezik jetën e çiklistëve dhe sigurinë e këmbësorëve. Situata bëhet akoma më alarmante nëse mendojmë për rastet emergjente: si do të kalojë ambulanca apo zjarrfikësja nëse ndodh një fatkeqësi?
Ndërkohë, policia bashkiake dhe ajo rrugore, që kohët e fundit është bërë aktive me gjoba “të rastësishme” në qytete të tjera, duket se për kaosin e përditshëm në Astir nuk sheh, nuk dëgjon e nuk flet.