Më 22 gusht 2020, Policia e Shtetit, me Sandër Lleshajn në krye, arriti të neutralizojë rrezikun më të madh të shqiptarëve, Alfred Lushën, hajdutin e tmerrshëm të pulave. Në një kohë kur bandat e drogës shëtisnin si në shtëpinë e tyre dhe korrupsioni lulëzonte, lajmi se policët e Lleshajt kishin zënë një hajdut pulash shkaktoi entuziazëm zyrtar dhe shumë të qeshura te populli.
Operacioni u prezantua si shembull i efikasitetit policor, duke treguar se mes kriminaliteteve më të mëdha, nuk do të mbetej pa ndëshkim hajduti i pulave. Ky operacion dukej sikur misioni i Policisë së Shtetit ishte arrestimi i grabitësve të pulave, jo atyre peshqve të mëdhenj që nën hundën e policisë vijonin punën e tyre të pashqetësuar.
Shqipëria asokohe falë Lleshajt u bë parajsa e pulave, ndërsa kriminelët e vërtetë vazhdonin të qetë në programin e tyre. Sot, në 22 gusht 2025, kjo “arritje madhore” feston pesë vjetorin e saj, duke mbetur një kujtim i operacionit shekullor që është për të qeshur e për të qarë. Një ngjarje që më shumë i përket rubrikës së humorit sesa kronikës së zezë.