Një incident i dhunshëm ka përfunduar me plagosjen e Liridon Ratës 28 vjeç në fshatin Hamallaj, ku konflikti filloi me sende të forta dhe u përshkallëzua deri në përdorimin e armëve të zjarrit.
Sipas hetimeve paraprake, konflikti nisi për arsye të vogla, të lidhura me parkimin e një automjeti pranë zonës së plazhit. I plagosuri, Liridon Rata nga Kolesjani i Kukësit, u qëllua nga Altin Lekgegaj, 37 vjeç, i cili veproi së bashku me vëllanë dhe nipin e tij.
Policia ka arrestuar në flagrancë Lekgegajn dhe Armen Sabliqin, 18 vjeç, ndërsa vëllai dhe nipi i Lekgegajt, si dhe një person tjetër, janë shpallur në kërkim. Gjatë kontrolleve, janë sekuestruar dy thika dhe disa sende të forta që do të shërbejnë si prova materiale.
Viktima ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe, sipas mjekëve, është jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes u sekuestruan edhe disa bishta druri, të përdorura gjatë konfliktit.